fbpx

Neni 36 – E drejta e studimit

Duke pasur parasysh ndryshimin e kuadrit normativ në lidhje me formimin profesional dhe të vazhdueshëm, punonjësit e punësuar në mënyrë të përhershme dhe jo në stazh, të cilët për të përmirësuar arsimimin dhe përgatitjen e tyre dhe aftësitë e njohuritë e tyre profesionale edhe në lidhje me veprimtarinë e ndërmarrjes, rezultojnë të regjistruar dhe ndjekin kurse të rregullta studimi, në shkollat ​​e arsimit fillor, të mesëm ose të kualifikimit profesional, shtetërore, të parifikuara, ose të njohura ligjërisht dhe në çdo rast të autorizuara për të dhënë diploma të njohura ligjore, kanë të drejtë, me sqarimet e treguara në paragrafët e mëposhtëm, të përfitojnë leje me pagesë të bazuar në një sasi të orëve për trevjeçarin të vëna në dispozicion të të gjithë punonjësve.

Palët marrin përsipër të monitorojnë aplikimin korrekt të së drejtës së parashikuar në këtë nen. Orët e lejes që do të përdoren gjatë periudhës trevjeçare mund të përdoren edhe në një vit të vetëm.

Në fillim të çdo periudhe trevjeçare, do të përcaktohet numri i orëve në dispozicion të punonjësve për ushtrimin e të drejtës së studimit, duke shumëzuar 10 orë në vit me tre dhe me numrin total të punonjësve të punësuar në ndërmarrje ose në njësinë prodhuese në atë datë, përveç rregullimeve të mëvonshme në lidhje me ndryshimet e numrit të punonjësve.

Punonjësit që mund të mungojnë njëkohësisht në ndërmarrje ose nga njësia prodhuese për të ushtruar të drejtën e studimit nuk duhet të tejkalojnë 2% të fuqisë punëtore totale të punësuar; gjithsesi duhet të garantohet në çdo repart zhvillimi i veprimtarisë prodhuese, nëpërmjet marrëveshjeve me përfaqësuesit e sindikatave të ndërmarrjes, ose me R.S.U.-të.

Lejet e paguara mund të kërkohen për një maksimum prej 150 orësh për person për një periudhë trevjeçare, që mund të përdoren edhe në një vit të vetëm, me kusht që kursi në të cilin punonjësi i interesuar ka ndërmend të marrë pjesë, të zhvillohet për një numër orësh sa dyfishi i atij i atyre për të cilat kërkon lejen me pagesë. Për këtë qëllim, punonjësi i interesuar duhet t’i paraqesë një kërkesë me shkrim ndërmarrjes brenda afateve dhe me modalitetet që do të vendosen në nivel ndërmarrje. Këto afate, si rregull, nuk do të jenë më pak se një tremujor.

Nëse numri i atyre që bëjnë kërkesën sjell tejkalimin e 1/3 të orëve totale trevjeçare dhe përcakton shfaqjen e situatave që bien ndesh me kushtet e përmendura në paragrafin 5, Drejtoria dhe përfaqësuesit e sindikatës së ndërmarrjes, ose R.S.U.-të, do të vendosin, duke marrë parasysh kërkesat e shprehura nga punonjësit në lidhje me ndjekjen e kurseve, kriteret objektive për identifikimin e përfituesve të lejeve, pa cenuar atë çfarë parashikohet në paragrafin 4, si moshën, vjetërsinë në shërbim, karakteristikat e kurseve të studimit, etj.

Në kurse do të pranohen ata që kanë plotësuar kërkesat e nevojshme dhe me kusht që të plotësohen kushtet objektive të përcaktuara në paragrafët e mëparshëm.

Punonjësit duhet t’i sigurojnë ndërmarrjes një certifikatë regjistrimi në kurs dhe më pas certifikatat e pjesëmarrjes të plotësuara me orët përkatëse.

Mosmarrëveshjet eventuale në lidhje me respektimin e kushteve të përcaktuara në këtë nen do t’i nënshtrohen shqyrtimit të përbashkët ndërmjet Drejtorisë dhe përfaqësuesve të sindikatës së ndërmarrjes, ose R.S.U.-së.

Ndërmarrjet do të paguajnë, gjatë ndjekjes së kurseve, paradhënie mujore të cilat do të barazohen me orët e lejes së shfrytëzuar, pa cenuar faktin se parakushti për pagesën e këtyre orëve, brenda limiteve dhe kushteve të përcaktuara në paragrafin 4, konsiston në frekuentimin e rregullt të të gjithë kursit.

Neni 35 – Mungesat, lejet, leja e martesës

Me përjashtim të rasteve kur ka pengesa të justifikuara, të gjitha mungesat duhet t’i komunikohen Ndërmarrjes në ditën kur ato verifikohen. Në rastin e turneve të mbrëmjes, kjo nënkupton 24 orë nga fillimi i vetë turnit.

Mungesat duhet të justifikohen brenda 2 ditëve në vijim, me përjashtim të rasteve të pengesave të vërtetuara.

Mungesat e pajustifikuara mund të sanksionohen në bazë të neneve 47, 48 dhe 49 të kësaj kontrate C.C.N.L.

LEJET

Punonjësit që bën kërkesë, ndërmarrjet mund t’i japin leje të shkurtra për arsye të justifikueshme, me të drejtën që të mos i paguhet paga përkatëse.

Me rastin e lindjes së një fëmije, do t’i jepet punonjësit një ditë pushim me pagesë.

Punonjësit që ka rast vdekje në familje, të vdekjes së një prindi, një fëmije, të një vëllai, motre ose bashkëshortit, ndërmarrja do t’i japë një leje 3-ditore me pagesë nëse ngjarja e zisë ka ndodhur në qytetin ose në provincën ku ka vendin e punës dhe 5 ditë, nga të cilat 3 janë me pagesë, nëse ngjarja ka ndodhur jashtë provincës.

Nëse ngjarja e zisë ndodh gjatë shërbimit, punonjësit do t’i lejohet të largohet menjëherë nga vendi i punës me të drejtën e të gjithë pagës ditore, duke shtuar edhe atë që parashikohet në paragrafin e mëparshëm.

Këto leje nuk llogariten në periudhën e pushimeve vjetore.

Për çdo gjë që nuk parashikohet në këtë nen, aplikohet ligji i 8 marsit 2000, n. 53.

LEJA E MARTESËS

Punonjësit që lidh martesë do t’i jepet një leje prej 15 ditësh pune, me zbritjen e çdo shume të paguar për këtë periudhë nga Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore (INPS).

Për të punësuarit e rinj duke filluar nga 1 qershori 2001, leja është e barabartë me 15 ditë kalendarike. Ky pushim nuk llogaritet me periudhën vjetore të pushimeve.

LEJET, LIGJI 5 shkurt 1992, n. 104

Me kusht që personi me aftësi të kufizuar të mos shtrohet në spital me kohë të plotë, punonjësi që asiston një person me aftësi të kufizuara të rënda, bashkëshortin, familjarin ose të afërmin deri në brezin e dytë, ose brenda brezit të tretë nëse prindërit ose bashkëshorti i personit me aftësi të kufizuara të rënda, kanë arritur moshën gjashtëdhjetë e pesë vjeç ose gjithashtu vuajnë edhe ata nga patologji me invaliditet ose kanë vdekur apo nuk janë më, ka të drejtë të përfitojë tre ditë leje mujore me pagesë të mbuluar me kontribut figurativ (“fiktiv”, paguhet nga sigurimet shoqërore), qoftë edhe në mënyrë të vazhdueshme.

E drejta e sipërpërmendur nuk mund t’i njihet më shumë se një punonjësi vartës për asistencën ndaj të njëjtit person me aftësi të kufizuara në gjendje të rëndë.

Për asistencën për të njëjtin fëmijë me aftësi të kufizuara në gjendje të rëndë, e drejta u njihet të dy prindërve, përfshirë prindërit birësues dhe kujdestarë, të cilët mund ta përfitojnë atë në mënyrë alternative.

Me qëllim që të përshtatet e drejta e lejeve mujore të përmendura në paragrafët e mëparshëm me nevojat normale organizative dhe tekniko-produktive të ndërmarrjes, punonjësi që shfrytëzon lejet mujore i komunikon me shkrim punëdhënësit kalendarin e përdorimit të parashikuar të tyre çdo tremujor nëse është e mundur, ose sidoqoftë të paktën çdo muaj, për të siguruar përshtatjen e të drejtave të punonjësit me nevojat organizative të ndërmarrjes.

Punonjësi ka të drejtë të modifikojë, për arsye të vërtetuara, datën e komunikuar duke i dërguar një njoftim paraprak me shkrim punëdhënësit në jo më pak se dy ditë pune, me përjashtim të rasteve të papritura të urgjencës së rëndë.

Punëdhënësi, brenda muajit të referimit, kur paraqiten nevoja të motivuara teknike, organizative ose produktive, të cilat ia komunikon punonjësit, mund të shtyjë shfrytëzimin e lejeve duke respektuar limitin kohor të muajit. Megjithatë, nuk ndryshojnë situatat në të cilat arsyet e vërtetuara të punonjësit janë të një natyre që nuk mund të shtyhet absolutisht dhe urgjente.

Punonjësi që përfiton nga lejet e përmendura në paragrafët e mëparshëm ka të drejtë të zgjedhë, kur është e mundur, vendin e punës më të afërt me vendbanimin e personit që do të asistojë dhe nuk mund të transferohet pa pëlqimin e tij në një vend tjetër pune.

Në rastet e përqendrimit të tepruar të punonjësve që kanë të drejtë për të njëjtën kontratë, e cila pengon administrimin korrekt dhe funksionimin normal të saj, në nivelin e sipërmarrjes, ndërmarrja dhe përfaqësitë e sindikatave do të takohen për të vlerësuar çdo zgjidhje të mundshme alternative.

Pa cenuar verifikimin e parakushteve për konstatimin e përgjegjësisë disiplinore sipas neneve 46 e vijues të kësaj kontrate C.C.N.L., punonjësi që përfiton lejet e përmendura në paragrafët e mëparshëm humbet të drejtat e parashikuara në këtë nen, nëse punëdhënësi ose INPS konstaton mos ekzistencën ose mungesën e kushteve të kërkuara për shfrytëzimin legjitim të këtyre të drejtave.

Neni 34 – Ndërprerjet dhe pezullimet e punës

Në rast të ndërprerjes së shërbimit normal, do t’i rezervohet punëtorëve trajtimi i mëposhtëm:

  1. për orët e humbura, por që kanë kaluar në dispozicion të ndërmarrjes, do të paguhet shpërblimi i përgjithshëm duke pasur të drejtë ndërmarrja të caktojë vetë punëtorët në punë të tjetra;
  2. për orët e humbura, për të cilat punëtorët nuk mbahen në dispozicion, pasi nuk janë më përpara njoftuar në kohën e duhur në lidhje me parashikimin e ngjarjes, do t’u paguhet për ditën e parë të pezullimit 70% e rrogës bazë;
  3. për orët e humbura dhe për të cilat punëtorët janë njoftuar menjëherë paraprakisht, nuk do të paguhet asnjë shpërblim.

Në rastet e kontraktimit total ose të pjesshëm të veprimtarisë së punës për shkaqet e parashikuara nga ligjet në fuqi në fushën e sigurimeve shoqërore, ndërmarrja mund të kërkojë ndërhyrjen e fondit të papunësisë së Sigurimeve shoqërore (Cassa Integrazione) në mënyrën e përcaktuar nga rregulloret e sipërpërmendura.

Në rast të pezullimit nga puna për një periudhë më të madhe se 8 ditë, punëtori ka të drejtë të japë dorëheqjen me të drejtë kompensimi, si shtesë zëvendësuese të paralajmërimit.

Neni 33 – Kontrata e punës me afat të pjesshëm

Me punë me kohë të pjesshme nënkuptohet marrëdhënia e punës në vartësi të kryer me orë të reduktuara në krahasim me atë të vendosur nga kjo kontratë C.C.N.L. dhe mund të kryhet me tipologjitë, mundësitë e përdorimit dhe metodologjitë e punësimit që paraqiten më poshtë:

  • horizontale, kur reduktimi i orarit në krahasim me kohën e plotë parashikohet në lidhje me orarin normal të punës ditore;
  • vertikale, kur rezulton e parashikuar që aktiviteti i punës të kryhet me kohë të plotë, por të kufizuar në periudha të paracaktuara gjatë javës, muajit ose vitit;
  • e përzier, kur shërbimi realizohet sipas një kombinimi të modaliteteve të treguara më sipër, që përfshin ditë ose periudha me kohë të plotë të alternuara me ditë ose periudha me orar të reduktuar ose jo në punë.

Marrëdhënia me kohë të pjesshme do të disiplinohet sipas parimeve të mëposhtme:

a) vullneti i palëve;

b) kthyeshmëria e shërbimit nga me kohë të pjesshme në me kohë të plotë në lidhje me kërkesat e ndërmarrjes dhe kur është në përputhje me detyrat e kryera dhe/ose që do të kryhen, pa cenuar aspektin e vullnetshëm të palëve;

c) zbatueshmëria e normave të kësaj kontrate C.C.N.L. pasi ato janë në përputhje me vetë natyrën e marrëdhënies;

d) mundësia e modifikimit, me marrëveshje ndërmjet palëve, në artikulimin strukturor të orarit kontraktues.

Personeli me kohë të pjesshme mund të punësohet sipas tipologjive specifike kontraktuese të përmendura në këtë C.C.N.L. dhe nga marrëveshjet ndërkonfederale.

Krijimi i marrëdhënies me kohë të pjesshme do të fiksohet ndërmjet punëdhënësit dhe punonjësit dhe duhet të rezultojë në një akt të shkruar, në të cilin do të tregohen:

  • detyrat, shpërndarja e orëve në lidhje me ditën, javën, muajin dhe vitin, kohëzgjatjen e shërbimit në punë me orar të reduktuar, klauzolat eventuale elastike;
  • periudha e provës për të punësuarit e rinj.

Pa cenuar kërkesat tekniko-organizative, ndërmarrja do të vlerësojë pranimin e kërkesave për transformimin e marrëdhënieve të punës me kohë të pjesshme (orar të reduktuar). Palët bien dakord që në këtë kontekst, ndërmarrjet do të kenë prirje për t’u dhënë përparësi kërkesave për transformimin e marrëdhënies së punës nga me kohë të plotë në me kohë të pjesshme të motivuara nga probleme serioze dhe të vërtetuara shëndetësore të aplikuesit ose nga nevoja e provuar për ndihmë të vazhdueshme të prindërve, bashkëshortit ose bashkëjetuesit, fëmijëve ose anëtarëve të tjerë të familjes që jetojnë së bashku pa asnjë mundësi asistence alternative, të sëmurë rëndë ose me aftësi të kufizuara ose që hyjnë në programet terapeutike dhe të rehabilitimit për narkomanë, ose për t’u kujdesur për fëmijët deri në tetë vjeç ose për pjesëmarrje të certifikuar në kurse formimi dhe/ose studimi.

Në rast të transformimit të marrëdhënies së punës nga me kohë të plotë në me kohë të pjesshme, ajo mund të ketë edhe një kohëzgjatje të paracaktuar e cila, si rregull, nuk do të jetë më e vogël se 6 muaj dhe më shumë se 24 muaj. Komunikimi përkatës për të interesuarin do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe në çdo rast brenda 30 ditëve nga kërkesa. Në këtë rast, lejohet marrja në punë e personelit me kontratë me afat të caktuar, ose rritja e përkohshme e orëve për personelin me kohë të pjesshme i cili ka bërë kërkesë, për të plotësuar orarin normal të punës ditore, javore, mujore ose vjetore derisa i interesuari të respektojë orarin e punës me kohë të pjesshme.

Palët në kontratën e punës me kohë të pjesshme mund të bien dakord për klauzola elastike në lidhje me ndryshimin e caktimit të kohës së shërbimit dhe, në marrëdhëniet me kohë të pjesshme vertikale ose të përzier, mund të vendosen gjithashtu edhe klauzola që lidhen me ndryshimin në rritje të kohëzgjatjes së shërbimit. Miratimi i punonjësit për klauzolat elastike duhet të rezultojë në një akt të shkruar edhe pas vendosjes së marrëdhënies së punës.

Ushtrimi, nga ana e punëdhënësit, i kompetencës për të ndryshuar vendin e kryerjes së punës ose për të rritur kohëzgjatjen e saj bëhet me një njoftim, në favor të punonjësit, jo më pak se 48 orë përpara.

Vetëm për orët e punës të bëra jashtë orarit për të cilin është rënë dakord në momentin e vendosjes së marrëdhënies me kohë të pjesshme, sipas regjimit të klauzolës elastike (ish-klauzola fleksibël), punonjësi ka të drejtë për një rritje prej 10% të pagës orare globale de facto.

Për kryerjen e orëve shtesë të punës të kërkuara sipas regjimit të klauzolave elastike, jashtë orareve të kontraktuara, punonjësit i takon ajo që përshkruhet në paragrafin 14 të këtij neni, të rritur me 1,5% më shumë.

Në rastin e arsyeve të rënda personale, ose arsyeve të vërtetuara teknike, organizative dhe të prodhimit të ndërmarrjes, mund të arrihet në një pezullim të përkohshëm të klauzolës elastike.

Akti me shkrim i pranimit të klauzolave elastike duhet të parashikojë të drejtën e punonjësit për të denoncuar vetë marrëveshjen, gjatë rrjedhës së marrëdhënies së punës me kohë të pjesshme në rastet e mëposhtme:

  • fillim i vërtetuar i një aktiviteti tjetër pune;
  • nevoja për mbrojtjen e shëndetit, të certifikuara nga shërbimi sanitar publik;
  • nevoja që lidhen me lejen e lindjes dhe lejen e atësisë (leja e babait për nevoja të fëmijës);
  • nevoja personale të lidhura me arsye të rënda familjare të përmendura në ligjin n. 53/2000;
  • patologji të rënda ose onkologjike që kanë të bëjnë me: bashkëshortin, bashkëjetuesin në përputhje me ligjin L. 76/2016, fëmijë, prindër;
  • fëmijë bashkëjetues me moshë jo më të madhe se 13 vjeç;
  • fëmijë bashkëjetues me handikap;
  • punëtor student.

Ky denoncim, në formë të shkruar, duhet të shoqërohet me një paralajmërim prej të paktën 30 ditësh, me përjashtim të rasteve që vërtetohen sipas nevojës dhe urgjencës në lidhje me gjendjen shëndetësore të punonjësit ose të familjarit.

Si rrjedhim i denoncimit të përmendur në paragrafin e mëparshëm, pushon e drejta e punëdhënësit për të ndryshuar kohën e kryerjes së punës së rënë dakord fillimisht, ose rritjen e saj në zbatimin të klauzolave ​​elastike.

Punëdhënësi, nga ana tjetër, mund të tërhiqet nga marrëveshja me një paralajmërim me të paktën një muaj përpara.

Refuzimi eventual i punonjësit për të nënshkruar klauzola elastike nuk integron të dhënat për një arsye të justifikuar për pushim nga puna e as adoptimin e masave disiplinore. Ndryshimi i kohës së shërbimit nuk jep të drejtën e kompensimit të përmendur në pikën 9 në rastet kur ndryshimi i sipërpërmendur kërkohet nga punonjësi i interesuar për shkak të nevojave apo zgjedhjeve të tij.

Puna shtesë është ajo që korrespondon me punën e kryer përtej orarit të punës të rënë dakord ndërmjet palëve në kontratën individuale dhe brenda limitit me kohë të plotë.

Duke marrë parasysh nevojat specifike teknike, organizative dhe prodhuese të sektorit, lejohet kryerja e punës shtesë deri në arritjen e orarit me kohë të plotë ditore dhe/ose javore sipas nenit 30 të kësaj kontrate kolektive. Refuzimi eventual i punonjësit për të bërë orë pune shtesë nuk integron detajet e motivit së justifikuar të pushimit nga puna dhe as adoptimin e masave disiplinore. Orët e punës shtesë paguhen si orë të zakonshme, të shtuara në përputhje me nenin 6, paragrafi 2, i D.Lgjs. 81/2015 të përqindjes së shpërblimit të orëve shtesë në të gjitha institutet e pagave indirekte dhe me shtyrje afati, përfshirë TFR, të përcaktuar në mënyrë konvencionale dhe në mënyrë aforfe, ndërmjet palëve, në masën 28%, të llogaritur mbi pagën bazë dhe të paguar në muajin pasues, pas kryerjes së shërbimit. Përkufizimi i sa më sipër është në përputhje me atë që parashikohet në nenin 6 të D.Lgjs. 81/2015. Në marrëdhënien e punës me kohë të pjesshme, të tipit vertikale, puna jashtë orarit, duke nënkuptuar më këtë orët e punës të bëra përtej orëve normale të caktuara ditore, është e disiplinuar në parakushtet dhe në numrin e dispozitave kontraktuese për punonjësit me kohë të plotë të parashikuara nga neni 38 i kësaj kontrate C.C.N.L.

Çdo vit, brenda fundit të muajit mars të çdo viti, Drejtoria e Ndërmarrjes do t’i sigurojë R.S.U.-ve ose, në rast se nuk janë krijuar, R.S.A.-ve ose, në mungesë të tyre, tek Organizatat sindikale (OO.SS.) territoriale, një informativë përfundimtare që tregon numrin e kontratave të ndërmarrjes me kohë të pjesshme të pranishme në vitin paraardhës, transformimet eventuale nga me kohë të plotë në kohë të pjesshme (part-time) dhe anasjelltas, profesionet e prekura nga kontratat me kohë të pjesshme, prezencën ose jo të klauzolave elastike dhe përfshirjen e punës shtesë dhe arsyet e përdorimit të saj.

Me kërkesë me shkrim të R.S.U./R.S.A.-ve dhe/ose Organizatave sindikale (OO.SS.), pas marrjes së informativës dhe në çdo rast brenda muajit prill, Drejtoria e Ndërmarrjes e ka për detyrë të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në çdo rast jo më vonë se 20 ditë nga marrja e kërkesës së sipërpërmendur, një ekzaminim të përbashkët që synon të vlerësojë, në veçanti, kushtet për konsolidimin e orëve shtesë të punës të lidhura me kërkesat e punës me karakter strukturor, pra duke hequr orët e bëra për të zëvendësuar punonjësit me të drejtën për të mbajtur vendin e punës.

Koha minimale javore e orarit të punës nuk mund të jetë më pak se 14 orë. Për kohë të pjesshme vertikale dhe të përziera, kjo vlerë duhet të jetë proporcionale në një masë prej 60 orësh në muaj dhe 600 orësh në vit. Shërbimi i punës ditore nuk mund të jetë më pak se dy orë. Nëse nuk është e mundur të arrihen minimumet e përmendura në një vendndodhje të vetme shërbimi, palët pranojnë se respektimi i tij është i mundur vetëm nëse punonjësi është i disponueshëm për të punuar me disa kontrata ku ndërmarrja i ka ato në të njëjtën zonë territoriale dhe nuk ka pengesa të natyrës teknike-produktive dhe organizative që rrjedhin nga kriteret dhe modalitetet e ekzekutimit të shërbimeve.

Trajtimi ekonomik dhe normativ i punonjësit të punësuar me kohë të pjesshme përcaktohet në bazë të rregullit të përpjesëtimit me orarin e kontraktuar në lidhje me trajtimin kontraktues të punonjësve me kohë të plotë.

Punonjësit me kohë të pjesshme llogariten në përpjesëtim me orarin e tyre kontraktues.

Në rast se punonjësi në marrëdhënie pune me kohë të pjesshme ofron shërbimet tij për punë në 2 kontrata për të arritur minimumin javor, nuk aplikohet normativa sipas paragrafit 21 të nenit 30, për pjesën që ka të bëjë me zhvendosjen nga një vend pune në tjetrin. Mbeten të pandryshuara situatat aktuale në ndërmarrjet e veçanta.

Punonjësit e interesuar për të bërë një orar të ndryshëm ose më të gjatë ia komunikojnë këtë ndërmarrjes, e cila, në rast të punësimeve të reja të personelit me kohë të plotë dhe të përhershme, do ta marrë parasysh këtë si prioritet, pavarësisht nga nevojat e prodhimit dhe organizimit, në rastin e punësimeve të reja të personelit me kohë të plotë dhe të përhershme.

Në baza tremujore, ndërmarrja do të informojë R.S.A.-të dhe/ose R.S.U.-të për kërkesat e marra dhe punësimet eventuale të parashikuara me kohë të plotë ose për zgjatjet eventuale të orarit.

Kjo nuk cenon kushtet më të favorshme që gëzojnë punonjësit në forcë në datën e nënshkrimit të kësaj kontrate C.C.N.L.

Për çdo gjë që nuk disiplinohet nga ky nen, aplikohen dispozitat ligjore në fuqi.

DEKLARATË NË PROCESVERBAL

Palët, në lidhje me respektimin e orarit minimal javor, mujor dhe vjetor të punës për punonjësit me kohë të pjesshme, rikonfirmojnë atë që parashikohet në paragrafët e mëparshëm 24 dhe 25 të nenit 33; si rrjedhim kontratat me kohë të pjesshme të lidhura me orar më pak se 14 orë në javë (60 në muaj dhe 600 në vit), nuk përbëjnë në vetvete mosrespektimin dhe/ose mospërmbushjen e kësaj kontrate C.C.N.L. në përputhje me normativat ligjore në fuqi.

Neni 32 –  Orët e punës së punonjësve me shkëputje për aktivitetet e administrimit të shërbimeve të panaireve dhe të ruajtjes e kontrollit të hapërsirave dhe ndërtesave (Marrëveshja 3 Dhjetor 2003)

Konsiderohen me orar pune me ndërprerje ata punonjës me kohë të plotë dhe të përhershme, të cilët në veprimtarinë e tyre profesionale nuk kanë karakter vazhdimësie në kryerjen e detyrës së tyre.

Megjithatë, për këto detyra dhe për ato të pritjes së thjeshtë ose rojës, i referohemi deklaratës së mëvonshme dhe asaj që tregohet nga dekreti R.D. n. 692/1923 dhe me modifikimit dhe integrimet e mëvonshme.

Detyrat e sipërpërmendura të përcaktuara nga ky nen, duke lënë në fuqi atë çfarë parashikohet nga neni 1, paragrafi 3, i kësaj kontrate C.C.N.L., janë të kufizuara si më poshtë:

  1. rojet ose gardianët e ditës dhe të natës në hyrje të rrugëve;
  2. rojet ose gardianët e caktuar në hyrje të panaireve tregtare, muzeve dhe ndërtesave të tjera;
  3. personeli i caktuar në shërbimet e ndërhyrjes së shpejtë kundër zjarrit;
  4. personeli i caktuar për ngarkimin dhe shkarkimin në aktivitetet e brendshme të shërbimit;
  5. personeli i caktuar për kontrollin e impianteve dhe të hapësirave.

Nëse me kryerjen e disa detyrave me ndërprerje anulohen kohët e ndërmjetme të pushimit që përbëjnë kushtin përcaktues për detyrën e ndërprerë, orari i punës së personelit të caktuar hyn në këtë rregull e përfshihet në normën në përputhje me paragrafin 2 të nenit 30 të kësaj kontrate C.C.N.L. Kjo normë nuk zbatohet në rrethanat e punës së rastit ose sporadike.

Për punonjësit e përfshirë në këtë nen, orari i punës me kontratë është caktuar në 45 orë në javë.

Rritja për orët jashtë orarit aplikohet duke filluar nga ora e 46 e javës. Palët nënshkruese të kësaj marrëveshje, së bashku me R.S.U.-të ose, kur këto nuk janë krijuar, me R.S.A.-të, do të takohen në nivel territorial për një ballafaqim që synon të verifikojë modalitetet për zbatimin e normave të përfshira në këtë nen; në rast të mos arritjes së marrëveshjes, do të aktivizohen nivelet më të larta në përputhje me dispozitat e kësaj kontrate C.C.N.L.