fbpx

Neni 41 – Përvjetore, festa

Ditët e mëposhtme konsiderohen ditë feste:

a) të gjitha të dielat, ose ditët e pushimit të kompensuara të përmendura në nenin 40 (pushimi javor); në rastin e një jave të shkurtër, konsiderohet festë dita e 2 e pushimit;

d) festat e 25 prillit, 1 majit dhe 2 qershorit, të përcaktuara nga dispozitat ligjore në fuqi, me përjashtim të zëvendësimeve eventuale apo të shtesave që futen për shkak të dispozitave me karakter të përgjithshëm;

c) ditët e festave vijuese:

  1. Viti i Ri (1 janar);
  2. Dita e Ujit të Bekuar (6 janar);
  3. Pashkët (jo fikse);
  4. E Hëna pas Pashkëve (jo fikse);
  5. Të Ngjiturit e Zojës në Qiell (15 gusht);
  6. Dita e të Gjithë Shenjtërve (1 nëntor);
  7. Festa e Zojës së Papërlyer (8 dhjetor);
  8. E Shenjta Krishtlindje (25 dhjetor);
  9. Shën Stefani (26 dhjetor);

Festa e Patronit (Shenjt mbrojtës) të lokalitetit ku punon punonjësi (për komunën e Romës, Shën Pjetri dhe Shën Pali 29 qershor).

Në ato lokalitete ku festa e Patronit përkon me festat e tjera të përmendura në germat b) dhe c) Shoqatat territoriale do të vendosin një ditë pushimi për të zëvendësuar atë të Patronit, në mënyrë që të mbajë të pandryshuar numrin e festave sipas germave të sipërpërmendura b) dhe c).

Vetëm në qoftë se përvjetorët e festave që përmenden në germat b) dhe c) bien në një ditë pushimi javore (neni 40) i takon, përveç trajtimit ekonomik normal, një shumë e barabartë me kuotat ditore të elementeve të pagës së përgjithshme mujore.

DITË FESTASH TË SHFUQIZUARA, LIGJI 5 mars 1977, n. 54

Për sa i përket festës civile (4 Nëntor) e cila festohet të dielën e parë të nëntorit, punonjësi do të përfitojë nga trajtimi i parashikuar për festat që përkojnë me të dielën, duke u nënkuptuar se nuk i takon asnjë kompensim shtesë në rastin e shërbimit të kryer në ditën kalendarike 4 nëntor.

Në rast se ndërmarrja vendos si ditë pune për 4 festat fetare të hequra, punonjësit që në këto ditë ofron punën e tij nuk i takon asnjë kompensim shtesë për pagën normale mujore dhe në vend të kësaj do t’i caktohen leje kompensuese me pagesë për aq ditë sa kanë qenë ditët e punës, që korrespondojnë me festat e sipërpërmendura.

Lejet e mësipërme nuk mund të grumbullohen me periudhën e ditëve të javës dhe do të caktohen në përputhje me nevojat e shërbimit, duke marrë parasysh pritshmëritë e punonjësit dhe duhet të shfrytëzohen brenda vitit të cilit i referohen; në rast se punonjësi nuk përfiton brenda afateve të sipërpërmendura nga lejet, atij do t’i takojnë sa më shumë kuota ditore të pagës së përgjithshme mujore për aq sa kanë qenë ditët ish festive fetare në të cilat është punuar.

Në rast se 4 festat fetare bien brenda periudhës së pushimeve, do të ketë një zgjatje përkatëse të periudhës së pushimeve.

Në rastin e 4 festave fetare që përkojnë me pushimin javor të përmendur në nenin 40 punonjësi nuk do t’i takojë asnjë leje kompensuese, por do të përfitojë nga trajtimi i parashikuar në pikën 3 të këtij neni.

Trajtimi i të gjitha festave në të cilat nuk është punuar, të përmendura në këtë nen, përfshihet në pagën mujore.

Në rast se institutet e sigurimeve shoqërore u paguajnë punonjësve që mungojnë për shkak sëmundje, aksidenti, shtatzëni dhe lehoni, një trajtim për ditët e festave të përmendura në këtë nen, ndërmarrja do të duhet të paguajë vetëm diferencën ndërmjet këtij trajtimi dhe të gjithë kompensimit për ditët e festave.

DEKLARATË NË PROCESVERBAL

Për punonjësit e ndërmarrjeve që operojnë në komunën e Romës, nëse përveç festave të Shenjtërve Pjetër dhe Pal, shfrytëzohet një ditë shtesë pushimi për Shenjtin Patron, numri i lejeve të përmendura në paragrafët 5, 6 dhe 7 të këtij neni reduktohet në 3.

Neni 40 – Pushimi javor

Periudha javore e pushimit normalisht duhet të bjerë të dielën, përveç përjashtimeve ligjore.

Për punonjësit për të cilët lejohet puna ditën e diel me pushim kompensues në një ditë tjetër të javës, e diela do të konsiderohet ditë pune, ndërsa do të konsiderohet ditë pushimi me të gjitha efektet dita e caktuar për pushim kompensues. Nëse, për shkak të kërkesave të shërbimit, dita e pushimit kompensues do të duhet të zhvendoset në një ditë tjetër të javës, të paparashikuar nga turni i shërbimit të paracaktuar të paktën 6 ditë përpara – me kusht që kjo zhvendosje të mos sjellë tejkalimin e limitit të 6 ditëve pune të pandërprerë – punonjësi do të ketë të drejtë për një kompensim të barabartë me 7% të pagës bazë të një dite pune.

Për punonjësit që kryejnë shërbimet e tyre në 5 ditë pune, konsiderohet ditë pushimi javor dita e dytë e pushimit.

Në lidhje me atë që parashikohet nga neni 9 i Dekretit legjislativ n. 66/2003, punonjësi ka të drejtë çdo shtatë ditë për një periudhë pushimi prej të paktën 24 orësh radhazi, zakonisht që përkon me të dielën, që grumbullohet me orët e pushimit ditor sipas nenit 30, paragrafi i nëntë, i kësaj kontrate C.C.N.L.

Periudha e lartpërmendur e pushimit të njëpasnjëshëm llogaritet si një mesatare për një periudhë jo më shumë se 14 ditë.

Për ditët e punës të kryera në përjashtim nga ky rregull, trajtimi ekonomik do të jetë ai i parashikuar për punën jashtë orarit në ditë festash.

Brenda sistemit të marrëdhënieve industriale të përmendur në këtë kontratë C.C.N.L. do t’u jepet informacion organizatave sindikale territoriale që bëjnë marrëveshjen për përdorimin e mundshëm të kësaj norme.

Neni 39 – Puna natën

Konsiderohet punë natën; vetëm për efekt të pagesës, ajo punë që përfshihet ndërmjet orës 22:00 dhe orës 06:00 të mëngjesit.

Konsiderohet “punë nate” sipas efekteve ligjore, puna e kryer efektivisht ndërmjet orës 22.00 dhe orës 5.00 të mëngjesit në lidhje me hipotezën e formuluar nga neni 1, paragrafi 2, germa d) të Dekretit legjislativ n. 66/2003.

Sipas efekteve ligjore konsiderohet “punonjës nate” punonjësi që:

  • në lidhje me orarin e tij ditor, kryen në mënyrë jo të jashtëzakonshme të paktën tre orë nga koha e tij e punës, në regjim normal të vazhdueshëm të punës, gjatë periudhës ndërmjet orës 22.00 dhe orës 5.00 të mëngjesit; përfshirja e përkohshme në një orar gjatë natës siç specifikohet këtu konsiderohet “detyrë e jashtëzakonshme” dhe për këtë arsye nuk nënkupton marrjen e kualifikimit si “punonjës nate”;
  • në lidhje me orarin e tij të përgjithshëm vjetor të punës, kryen në mënyrë jo të jashtëzakonshme detyrën e tij për të paktën tre orë gjatë periudhës që përfshihet ndërmjet orës 22:00 dhe 5:00 të mëngjesit për një minimum prej 80 ditësh pune në vit, që ripërpjesëtohet për part-time (orar të reduktuar) vertikal dhe të përzier, sipas nenit. 1, paragrafi 2, germa e) e Dekretit legjislativ n. 66/2003.

Nuk konsiderohet punë nate në bazë të Dekretit legjislativ n. 66/2003 por i jep të drejtën e rritjeve të parashikuara nga C.C.N.L në fuqi, asaj që parashikohet në lidhje me rastet e mëposhtme të jashtëzakonshme:

a) pushime që përcaktohen nga dorëheqja e papritur e një punonjësi;

b) nevoja për zëvendësim që përcaktohet nga mungesa për një afat të shkurtër e personelit për shkak të sëmundjes, aksidentit dhe/ose forcës madhore;

c) nevoja për të zëvendësuar personelin për periudha të shkurtra (pushime, leje me pagesë dhe pa pagesë të çdo lloji);

d) për kryerjen e punëve urgjente dhe të jashtëzakonshme për një kohë të shkurtër.

Caktohen në punë nate me prioritet absolut, punonjësit dhe punonjëset që bëjnë kërkesë duke marrë parasysh nevojat organizative të ndërmarrjes.

Në bazë të nenit 13, paragrafi 1, i Dekretit legjislativ n 66/2003, në rastin e adoptimit të një orari të artikuluar në disa javë, periudha e referimit në të cilën duhet llogaritur limiti prej 8 orësh në 24 orë, në mungesë të një rregullimi specifike në nivel ndërmarrje, përcaktohet si mesatare mbi bazë tremujore.

Në bazë të nenit 15 të Dekretit legjislativ n. 66/2003, i cili garanton transferimin nga puna e natës në punën e ditës, parashikohet që në rast të paaftësisë për të bërë punë nate të konfirmuar nga mjeku kompetent dhe në mungesë të zgjidhjeve brenda të të njëjtit nivel, punëtori mund të zhvendoset në detyra me një nivel më të ulët me qëllim për të lehtësuar zgjidhjet që synojnë mbrojtjen e punësimit.

Në përputhje me parashikimet e nenit 13, paragrafi 2, i Dekretit legjislativ n. 66/2003, konfirmohen parashikimet në këtë fushë nga kontrata e mëparshme C.C.N.L.

Fillimi e punës së natës paraprihet nga konsultimi i R.S.U.-ve ose, në rast se nuk është krijuar, të R.S.A.-ve ose, në mungesë të tyre, të Sindikatave Territoriale (OO.SS), konsultimi kryhet dhe përfundon brenda dhjetë ditëve duke filluar nga komunikimi i punëdhënësit.

Neni 38 – Puna jashtë orarit, turnet e natës dhe gjatë festave

Nëse e kërkojnë nevoja të veçanta shërbimi, punonjësit i kërkohet të punojë përtej orarit të përcaktuar normal, si ditën ashtu edhe natën, përveç nëse ka arsye të justifikuara individuale që e pengojnë.

Ndërmarrja nuk do të jetë në gjendje të kërkojë zgjatje të orarit dhe një shërbim të jashtëzakonshëm që i tejkalon 150 orë në vit.

Konsiderohet punë e jashtëzakonshme, dhe jep shkas për një kompensim, ajo që është vendosur nga ndërmarrja dhe që kryhet përtej kohëzgjatjes normale të punës sipas nenit 30, duke lënë në fuqi çfarë është vendosur nga neni 31.

Puna jashtë orarit duhet të paguhet me kuotat për orë të pagës së përgjithshme mujore.

Puna jashtë orarit dhe puna e kryer në ditë festash dhe gjatë orëve të natës duhet të kompensohet me përqindjet e ngritjes së mëposhtme:

Punë jashtë orarit ditën gjatë ditëve të zakonshme të punës25%
Punë jashtë orarit natën50%
Punë jashtë orarit ditë festash65%
Punë jashtë orarit natën gjatë festave75%
Punë e kryer në ditët që konsiderohen festa50%
 Punë natën; përfshirë atë në turnet e alternuara20%
 Punë natën, nuk përfshin turnet e alternuara30%

Përqindjet e mësipërme do të llogariten mbi kuotën e orëve të pagës bazë në momentin e likuidimit të tyre.

Përqindjet e lartpërmendura të rritjes nuk mund t’i shtohen njëra tjetrës, në kuptimin që më e larta absorbon më të ulëtën.

Nënkuptohet si punë natën; në lidhje me atë që parashikohet më lart, ajo punë që përfshihet ndërmjet orës 22:00 dhe orës 06:00 të mëngjesit.

Vetëm në rastet e shërbimit të vazhdueshëm të natës, rritja përkatëse duhet të llogaritet në institucionet kontraktuese të mëposhtme:

a) pushime;

b) ditë festash;

c) rroga mujore e 13;

d) rroga mujore e 14;

e) TFR (trajtim i fundit të marrëdhënies në punë);

f) shtesa zëvendësuese e paralajmërimit;

g) sëmundje dhe aksidente.

Për personelin nëpunës, mbeten të pandryshuara kushtet më të favorshme.

Neni 37 – Lejet e punonjësve studentë

Punonjësit studentë, të regjistruar dhe që ndjekin kurse të rregullta studimi në shkollat ​​fillore, të mesme dhe të kualifikimit profesional, qofshin ato shtetërore, të barasvlershme apo të njohura ligjërisht, ose në çdo rast të autorizuara për të dhënë diploma të njohura ligjore, kanë të drejtë për leje të paguara në këtë masë:

  • 2 ditë për çdo provim universitar;
  • 5 ditë për marrjen e diplomës së shkollës fillore;
  • 8 ditë për marrjen e diplomës së shkollës tetëvjeçare;
  • 10 ditë për marrjen e diplomës së shkollës së mesme.