fbpx

Neni 70 – Pandashmëria e dispozitave të kontratës

Dispozitat e kësaj kontrate, edhe për sa i përket secilit institut janë të ndërlidhura dhe të pandashme nga njëra-tjetra; prandaj subjektet që zbatojnë këto dispozita, qoftë edhe pjesërisht, duhet t’i konsiderojnë, për fakte përfundimtare, për të gjitha efektet e detyrueshme të marrë së bashku, si grup organik i normave të kontratës së Sigurimeve shoqërore dhe trajtimit të pagesës së përfundimit të marrëdhënieve në punë; edhe kur janë të ndara, konsiderohen se përbëjnë një institut të vetëm.

Neni 69 – Asistenca sanitare integruese

Palët nënshkruese të kësaj kontrate C.C.N.L. “për personelin e punësuar nga ndërmarrjet që ofrojnë shërbime pastrimi dhe shërbime të integruara/multi-shërbime” pranojnë se kujdesi sanitar integrues jo zëvendësues i shërbimit sanitar kombëtar i përcaktuar nga kontrata C.C.N.L. përbën një nga pikat kualifikuese për aplikimin integral të kësaj kontrate C.C.N.L. Përmbushja e detyrimeve të përmendura në këtë nen përbën pjesë integruese të trajtimit të përgjithshëm ekonomik të parashikuar nga kjo kontratë C.C.N.L. dhe nuk mund të përjashtohet.

Prandaj, pavarësisht nga vlefshmëria, domosdoshmëria, centralizimi dhe universaliteti i Shërbimit Sanitar Kombëtar i parashikuar nga legjislacioni në fuqi, në datën 07.01.2013 është krijuar për të gjithë sektorin e shërbimeve të pastrimit, shërbimeve të integruara/multi-shërbime, një sistem i vetëm i shërbimeve sanitare integruese të Shërbimit Sanitar Kombëtar, të strukturuara në përputhje me dekretin D.Lgjs. 2 shtator 1997, n. 314 dhe modifikimet e integrimet e mëvonshme, i siguruar nëpërmjet një Fondi të asistencës sanitare integruese.

Asistenca sanitare integruese, pra, ka një karakter të përgjithshëm, me një fond të vetëm për të gjithë punonjësit e sektorit dhe do të ofrojë shërbime homogjene pavarësisht nga orari kontraktues.

Në lidhje me sa më sipër, asistenca sanitare integruese ka strukturën e mëposhtme:

  1. Ofrimi i shërbimeve sanitare integruese, duke filluar nga muaji tetor i vitit 2014, sigurohet nëpërmjet FONDIT TË ASISTENCËS SANITARE INTEGRUESE TË SEKTORIT TË NDËRMARRJEVE QË USHTROJNË SHËRBIMET E PASTRIMIT, SHËRBIMET E INTEGRUARA/MULTI-SHËRBIME – Fondi ASIM, i krijuar në mënyrë paritetike nga Palët nënshkruese.
  2. Me qëllim që të financohen këto shërbime, për çdo punonjës në forcë në marrëdhënie pune me kohë të përhershme, jo në provë, përfshirë aty punonjësit me kontratë si nxënës në ekonomi, përcaktohet në ngarkim të punëdhënësit kontributi i mëposhtëm:
    1. nga 1 korriku 2013 njihet një kontribut në ngarkim të ndërmarrjeve i barabartë me 4,00 € në muaj për punonjësit me orar mesatar javor të punës deri në 28 orë;
    2. nga 1 korriku 2013, njihet një kontribut i paguar nga ndërmarrja prej 6,00 € në muaj për punëtorët me kohë mesatare javore pune mbi 28 orë;
    3. Të gjithë punëdhënësit duhet të paguajnë në Fond një kontribut una tantum (vetëm njëherë) për regjistrim në FONDO ASIM, të barabartë me 0,50 € për çdo punonjës. Për regjistrimet pas shtatorit 2012, kuota e regjistrimit una tantum që duhet derdhur është e barabartë me 0,50 € për çdo punëtor të ri të regjistruar. Kjo disiplinë ka të bëjë ekskluzivisht me derdhjen e una tantum fillestare një herë pas regjistrimit të parë të punëdhënësit dhe të punonjësve. Nuk parashikohen reduktime për punonjësit e marrë në punë me kohë të pjesshme. Kontributi una tantum nuk duhet të derdhet për punonjësit tashmë të regjistruar të prekur nga procedurat e ndryshimit të kontratës.
      Ndërmarrja, e cila do të duhet të verifikojë regjistrimin eventual të mëparshëm të punonjësve, do të mund ta kërkojë këtë informacion nga Fondi nëpërmjet postës elektronike. Kontributi una tantum, i përmendur në këtë nen, duhet të derdhet së bashku me kontributin e parë të zakonshëm.

Kontributi nënkuptohet neto i kontributit të solidaritetit dhe bruto nga shpenzimet e funksionimit të Fondit.

Me orar mesatar javor nënkuptojnë orarin kontraktues individual vjetor të pjesëtuar me 52 javë. Me këtë formulim Palët kanë pasur qëllim të ripërfshijnë të gjitha subjektet, duke përfshirë punonjësit me kohë të pjesshme (part-time) vertikale dhe/ose ciklike, rrjedhimisht me detyrimin për të derdhur kontributet në Fond për 12 muaj. Prandaj, në rastin e atyre me kohë të pjesshme ciklike (për shembull, ato që lidhen me shërbimet në institutet shkollore), kontributet në Fond nuk duhet të pësojnë ndërprerje.

Duke filluar nga data 1 korrik 2013, kontributi i zakonshëm në fondin FONDO ASIM është i detyrueshëm nga punëdhënësi duke iu referuar datës në të cilën ndërhyn krijimi i marrëdhënies së punës, i rrumbullakosur në një muaj të plotë nëse fraksioni i muajit është më i madh se 15 ditë. Nëse punonjësit janë të punësuar nga shumë punëdhënës që aplikojnë këtë kontratë C.C.N.L., kontributi është gjithsesi i detyrueshëm nga secili punëdhënës.

  1. Palët pranojnë se në përcaktimin e pjesës së rritjes ekonomike të kontratës C.C.N.L. për punonjësit e ndërmarrjeve që ofrojnë shërbime pastrimi dhe shërbime të integruara/multi-shërbime, është pasur parasysh ndikimi i kuotave dhe kontributeve të këtij neni të C.C.N.L. për financimin e Fondit të asistencës sanitare integruese. Rritja e përgjithshme, që rrjedh nga zbatimi i marrëveshjeve ndërkonfederale në fuqi, për këtë arsye rezulton përfshirëse për këto kuota dhe kontribute, të cilat janë pjesë përbërëse e rritjes ekonomike. Ndërmarrja që nuk derdh kuotat dhe kontributet e sipërpërmendura është përgjegjëse ndaj punonjësve të pa regjistruar në Fondin e humbjeve të shërbimeve shëndetësore përkatëse, duke lënë në fuqi të drejtën e punonjësit për dëmshpërblimin për dëme të pësuara më të mëdha. Pagesa e kompensimeve zëvendësuese nuk e përjashton punëdhënësin nga detyrimi për t’i garantuar punëtorit shërbimet sanitare dhe shërbimet e garantuara nga fondi ASIM. E drejta e asistencës sanitare integruese brenda limiteve të përcaktuara në këtë nen është e domosdoshme për punonjësin. Pagesa e kuotës së kontributit në fondin e asistencës sanitare duhet të jetë veçanërisht e evidencuar në fletëpagesë. Palët do të aktivizohen me qëllim që t’i ofrojnë informacion adekuat ndërmarrjeve dhe punonjësve të sektorit në lidhje me institutin e asistencës sanitare integruese dhe funksionimin e Fondit ASIM.

Palët i bashkëlidhin kësaj kontrate C.C.N.L. statutin e Fondit Asim.

Dispozitat e këtij neni janë të detyrueshme për të gjitha ndërmarrjet që aplikojnë këtë kontratë C.C.N.L.

Neni 68 – Komisioni paritetik për mundësi të barabarta

Komisioni paritetik për mundësi të barabarta përbën instrumentin që ka për detyrë të formulojë dhe ndjekë projekte të veprimit pozitiv që synojnë të garantojnë heqjen e të gjitha pengesave që ndalojnë arritjen e mundësive të barabarta burrë/grua në punë.

Në këtë kuptim Komisioni, duke përdorur instrumentet e parashikuara nga dekreti legjislativ D.Lgjs. 198/2006 aktivizohet për të ndjekur edhe rrugën e vetë projekteve si në fazën e pranimit në financimet e parashikuara nga ligji i përmendur më sipër ashtu edhe në zbatimin e tyre.

Komisioni paritetik për Mundësi të Barabarta është i përbërë nga 6 anëtarë që përfaqësojnë Shoqatat e punëdhënësve dhe 6 përfaqësojnë Federatat Sindikale të punonjësve, të cilët do të caktohen nga palët përkatëse të përmendura më sipër brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga nënshkrimi i kontratës C.C.N.L.

Për çdo përfaqësues mund të caktohet një zëvendësues.

Selia operative e Grupit të Punës për Mundësi të Barabarta do të jetë në Selinë e Organizmit Bilateral Kombëtar të Sektorit.

Për çdo gjë që ka të bëjë me funksionimin e Komisionit, vetë Komisioni mund të kujdeset për vendimet e veta.

Anëtarët e Komisionit, përveç kësaj, si rregull në tremujorin e dytë të çdo viti, do t’u raportojnë palëve nënshkruese, në një takim të veçantë, rezultatet e punës së kryer dhe sidoqoftë tre muaj para skadimit të kontratës do t’u paraqesin vetë palëve një raport përfundimtar.

Komisionit i ngarkohen këto detyra:

  1. të studiojë evolucionin cilësor dhe sasior të punësimit të femrave në sektor, duke përdorur të dhëna të ndara sipas gjinisë, nivelit të inkuadrimit profesional dhe tipologjisë së marrëdhënieve të punës, duke përfshirë edhe ato të përpunuara nga Observatori i tregut të punës;
  2. të ndjekë evoluimin e legjislacionit italian, evropian dhe ndërkombëtar në lidhje me mundësitë e barabarta të punës;
  3. të promovojë ndërhyrje të përshtatshme për të lehtësuar rifutjen në tregun e punës të grave ose burrave që dëshirojnë të rifillojnë aktivitetin pas një ndërprerjeje të aktivitetit në punë, duke favorizuar gjithashtu përdorimin e instrumentit të kontratës së futjes/rifutjes;
  4. të identifikojë iniciativa azhurnimi dhe formimi profesional, edhe me qëllim që të ruajë profesionalizmin e atyre që rifillojnë aktivitetin e punës pas rasteve të mungesave, të largimit të përkohshëm, dhe lejes, siç parashikohet nga ligji n. 53 i datës 8 mars 2000;
  5. të përgatisë projekte të Veprimit Pozitiv që synojnë favorizimin e punësimit të femrave dhe rritjes profesionale, duke përdorur edhe mundësitë që ofron dekreti legjislativ D.Lgjs. 198/2006 dhe nga Fondet komunitare të caktuara;
  6. të favorizojë ndërhyrje efikase për parandalimin e akteve të sjelljes së mobbing-ut në sistemin e marrëdhënieve të punës;
  7. të analizojë të dhënat sasiore dhe cilësore që do të vijnë nga organizmat paritetikë në lidhje me procedurat dhe zgjidhjet e përcaktuara në lidhje me ngacmimin seksual;
  8. të mbledhë dhe analizojë iniciativat dhe rezultatet e arritura në drejtim të veprimeve pozitive, duke favorizuar iniciativat e lidhura me marrëveshjet e përmendura në nenin 9 të ligjit n. 53 të 8 marsit 2000 dhe përhapjen e praktikave të mira;
  9. të përcaktojë iniciativa që synojnë kapërcimin e çdo forme diskriminimi në vendin e punës, veçanërisht në lidhje me pagën dhe aksesin në formimin profesional.

Aderimi eventual i ndërmarrjeve në skemat e projekteve të formimit profesional të përcaktuara dhe pranuara bashkërisht nga Organizatat nënshkruese të Kontratës Kombëtare, për të cilat palët do të promovojnë njohjen e tyre, përbën të drejtën për aplikimin e përfitimeve të parashikuara nga dispozitat ligjore në fuqi në këtë fushë.

Komisioni do të jetë në gjendje të përdorë, për të kryer detyrat e tij, të dhënat e ofruara nga Observatori Kombëtar.

Komisioni mblidhet zakonisht çdo tre muaj ose me kërkesë të njërës nga palët, i kryesuar me radhë nga një anëtar i të dy grupeve dhe vendos njëzëri për zbatimin e detyrave të sipërpërmendura. Do të paraqesë çdo vit një raport, të plotësuar me materialet e mbledhura dhe të përpunuara: në këtë kontekst do të raportojë për aktivitetet e tij tek organizatat nënshkruese, duke paraqitur si propozimet mbi të cilat është arritur unanimiteti i mendimeve të Komisionit, ashtu edhe vlerësimet që përbëjnë qëndrimet e njërit nga komponentët.

Neni 67 – Komisioni paritetik kombëtar

Komisioni i Paritetik Kombëtar përbën instrumentin për shqyrtimin e të gjitha mosmarrëveshjeve kolektive në lidhje me interpretimin autentik dhe të saktë dhe aplikimin integral të kësaj kontrate C.C.N.L..

Komisioni i Paritetik përbëhet nga organizatat që kanë nënshkruar këtë C.C.N.L. (Kontrata Kolektive Kombëtare e Punës) dhe përbëhet nga 12 anëtarë, 6 prej të cilëve përfaqësojnë organizatat e punëdhënësve dhe 6 përfaqësojnë Federatat Sindikale të punonjësve, të cilët do të caktohen nga palët përkatëse të përmendura më sipër brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga nënshkrimi i kontratës C.C.N.L.

Për çdo përfaqësues mund të tregohet një zëvendësues.

Selia e punës së “Komisionit Paritetik” do të jetë pranë Selisë së organizmit paritetik të sektorit (O.N.B.S.I.) duke iu referuar nenit 66 të kësaj kontrate C.C.N.L. dhe do të operojë me procedurat dhe modalitetet e mëposhtme.

Te Komisioni Paritetik mund të drejtohen, me letër rekomande me përgjigje, Organizatat Kombëtare që kanë nënshkruar këtë Kontratë ose, nëpërmjet tyre, Organizatat Territoriale që varen prej tyre. 

Me rastin e paraqitjes së instancës, pala kërkuese paraqet të gjitha elementet e dobishme për shqyrtimin e mosmarrëveshjes.

Në pritje të procedurave përpara Komisionit Paritetik, Organizatat Sindikale përkatëse të përfshira nuk do të mund të marrin asnjë iniciativë.

Data e thirrjes për shqyrtimin e mosmarrëveshjes do të caktohet, me marrëveshje ndërmjet anëtarëve të Komisionit Paritetik, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga paraqitja e instancës dhe e gjithë procedura duhet të përfundojë brenda 30 (tridhjetë) ditëve pasuese.

Komisioni i Paritetik, përpara se të vendosë, mund të thërrasë palët në mosmarrëveshje për të marrë çdo informacion dhe vërejtje të dobishme për shqyrtimin e vetë mosmarrëveshjes.

Komisioni Paritetik kujdeset për hartimin e procesverbaleve të mbledhjeve dhe vendimet e nxjerra, të cilat duhet të nënshkruhen nga vetë anëtarët e Komisionit Paritetik.

Vendimet e Komisionit Paritetik u dërgohen në kopje palëve të interesuara, të cilat kanë detyrë t’i përmbahen atyre.

Për çdo gjë që lidhet me funksionimin e Komisionit Paritetik, vetë Komisioni Paritetik mund të marrë masa, me vendimet e veta.

Anëtarët e Komisionit, përveç kësaj, tre muaj para skadimit të kontratës, do t’u paraqesin palëve nënshkruese të kontratës C.C.N.L. një raport përfundimtar të punës së kryer.

Neni 66 – Organizimi paritetik kombëtar i sektorit – O.N.B.S.I.

Duke pasur parasysh:

  • se organi i përmendur në këtë nen do të jetë pika e referimit për të gjitha nismat e sektorit, duke u koordinuar me Observatorin Kombëtar të palëve sociale, i cili do të vazhdojë të kryejë funksionet e tij të drejtimit dhe kontrollit të tregut të punës pranë Ministrisë së Punës; do të vendoset ndërmjet palëve harmonizimi i asaj që parashikohet nga ky nen me marrëveshjet eventuale ekzistuese për këtë çështje në nivel territorial;
  • se organi paritetik është i përbërë nga palët nënshkruese të kësaj kontrate C.C.N.L. dhe ka për qëllim të krijojë dhe konsolidojë kushtet për një zhvillim më të mirë të sektorit, të marrëdhënieve sindikale dhe të kushteve të jetesës së ndërmarrjeve dhe punonjësve të sektorit;
  • se punëdhënësit dhe punonjësit e tyre marrin përsipër të respektojnë plotësisht detyrimet dhe ngarkesat që rrjedhin nga aplikimi konkret i tij, duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, bihet dakord si më poshtë.

Palët nënshkruese kanë krijuar me datën 26 qershor 2003, O.N.B.S.I. – Organizmin Kombëtar Dypalësh për Shërbimet e Integruara unitar të sektorit (me ndarje të mundshme territoriale), i rregulluar nga një statut dhe rregullore e veçantë zbatimi; statuti i Organizmit është i bashkëlidhur me këtë kontratë C.C.N.L.

O.N.B.S.I. promovon:

a) iniciativa në lidhje me formimin dhe kualifikimin profesional edhe në bashkëpunim me Rajonet dhe Entet e tjera kompetente, që synojnë eventualisht përgatitjen e punonjësve që kanë marrë pjesë aty. Promovimi dhe administrimi i nismave të sipërpërmendura duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjet ndërkonfederale dhe të organizmave që rrjedhin prej atyre që kanë ekzistuar më përpara;

b) kurse rikualifikimi për personelin e interesuar nga proceset e ristrukturimit dhe riorganizimit që përfshijnë ndërprerjen dhe/ose pezullimin e marrëdhënies së punës për një periudhë kohe të paktën të barabartë me atë të parashikuar nga ligjet përkatëse.

Në lidhje me regjistrimin e ndërmarrjeve në regjistrin e përmendur në ligjin 25/2/1994 n. 82 dhe rregullores së zbatimit, në marrëveshje me Unioncamere dhe gjithashtu në marrëveshje me INPS, Inail dhe Ministrinë e Punës, Organizmi lëshon certifikimet që vërtetojnë regjistrimin te vetë Organizmi dhe pagesën e kuotave përkatëse.

Përveç kësaj, O.N.B.S.I. do të jetë në gjendje të kryejë aktivitetet e mëposhtme:

  1. të mbështesë dhe integrojë funksionet e kontrollit të Enteve kompetente, duke zhvilluar rolin e verifikimit, kontrollit, monitorimit dhe mbledhjes së të dhënave dhe procesverbaleve që kryhen në procedura sipas nenit 4 (ndryshim kontrate) në të gjithë territorin kombëtar;
  2. me rekomandimin e Observatorit kombëtar të sektorit të kryesuar nga Ministria e Punës, të ndërmarrë iniciativa që synojnë krijimin e instrumenteve të analizës konkrete për sektorin në sinergji me institucionet (Presidenca e Këshillit, Cnel, Unioncamere, Universitetet dhe Entet Kërkimore, Ministritë kompetente, etj.);
  3. në lidhje me detyrimet e përmendura në D.Lgjs. n. 81/2008 dhe duke iu referuar specifikave dhe veçorive të sektorit, të nxisë studime të thelluara për zbatimin konkret të ligjit si dhe për planet e sigurisë, për formimin e drejtuesve të ndërmarrjeve dhe të R.L.S.-ve;
  4. të kërkojë dhe përpunojë, edhe për qëllime statistikore, të dhënat në lidhje me përdorimin e marrëveshjeve në lidhje me kontratat me afat të caktuar, duke përgatitur projekte formuese për figurat e veçanta profesionale, me qëllimin e një shfrytëzimi sa më të mirë të instituteve kontraktuese të sipërpërmendura, në harmoni të plotë me marrëveshjet konfederale në fuqi.

Për zbatimin e detyrave të përmendura në pikat e mëparshme dhe për veprimtarinë e Observatorit Kombëtar, O.N.B.S.I. do të përgatisë plane pune specifike duke paraqitur nevojat përkatëse për burimet me qëllim që të sigurohet gjetja e tyre.

Nëse palët nënshkruese bien dakord për iniciativat që organizmi paritetik i sektorit synon që ato të marrin përsipër, ato do të sigurojnë funksionimin e projekteve duke përcaktuar financimin përkatës në masë të barabartë për ndërmarrjet dhe punonjësit (50% në ngarkim të punëdhënësit dhe 50% në ngarkim të punonjësit), gjithashtu nëpërmjet financimit rajonal dhe/ose kombëtar të parashikuar nga normativa në fuqi, duke iu referuar veçanërisht Ministrisë së Punës (Zyra e Formimit Profesional).

Në lidhje me atë që parashikohet nga paragrafi i mëparshëm dhe siç përcaktohet në marrëveshjen e rinovimit 19/12/2007, O.N.B.S.I. financohet nëpërmjet derdhjes së një kontributi të vendosur në masën 0,50 € në ngarkim të punëdhënësit dhe 0,50 € në ngarkim të punonjësit në muaj, për 12 muaj, nga 1 janari 2008 për t’u derdhur çdo tremujor. Për punonjësit me kohë të pjesshme (part-time) me më pak se 20 orë në javë shumat e mësipërme reduktohen në 0,25 €.

Kontributi në të gjithë territorin kombëtar mblidhet nga O.N.B.S.I., nëpërmjet një marrëveshjeje të posaçme të përcaktuar me INPS-in që mbledhja të kryhet nëpërmjet modelit F24; organizmat territorial, për t’u njohur, duhet t’i përmbahen këtij modaliteti për mbledhjen e kontributeve.

Organizmi Dypalësh Territorial kryen të njëjtat funksione të Organizmit Kombëtar duke realizuar një fazë ekzaminimi dhe studimi të përshtatshme për të kapur aspektet e veçanta të realiteteve të ndryshme të pranishme në territor; O.B.T. (Organizëm Bilateral Territorial) promovon iniciativa në lidhje me formimin dhe kualifikimin profesional edhe në bashkëpunim me Rajonet, Entet Lokale dhe Entet Kompetente të tjera. Për sa i përket financimit përkatës, vlerat do të përcaktohen në nivel territori.

Duke filluar nga muaji që pason vërtetimin unanim të krijimit të O.B.T.-së, O.N.B.S.I. do të ndajë në favor të O.B.T.-së 70% të kontributeve të mbledhura që i atribuohen, në bazë të punonjësve të punësuar realisht në territorin kërkues, edhe që kanë qëllim zbatimin e projekteve të parashikuara në statut.

Me një rregullore specifike, O.N.B.S.I. do të përcaktojë modalitetet dhënies dhe të administrimit të burimeve të destinuara për territorin.

Palët i bashkëlidhin kësaj kontrate C.C.N.L. statutin-tip të organizmave bilaterale territoriale; pavarësisht nga entet e themeluara në datën e hyrjes në fuqi të kësaj kontrate C.C.N.L. të cilët do të duhet të përshtatin statutin brenda vlefshmërisë së kontratës.

Deri në vlefshmërinë e sipërpërmendur, funksionimi i O.B.T.-së do të vazhdojë të jetë i siguruar, nga pikëpamja financiare, nga O.N.B.S.I. për zbatimin e projekteve të përbashkëta sipas praktikës aktuale.

SHËNIM NË PROCESVERBAL

Duke konfirmuar se bilateralizmi përbën një trashëgimi të rëndësishme të sistemit të marrëdhënieve sindikale në sektorët e Pastrimit, Shërbimeve të Integruara dhe Multi-shërbimeve, palët bien dakord dhe konfirmojnë se parimet që duhet të karakterizojnë bilateralitetin dhe më në përgjithësi welfare kontraktuese i referohen transparencës në administrim, efikasitetit në funksionim, racionalizimit në organizim, garantimit të qëndrueshmërisë së ardhshme, kapacitetit për t’iu përgjigjur qëllimeve të caktuara dhe pritshmërive të punonjësve dhe të ndërmarrjeve.

Duke pasur parasysh sa më sipër, Palët bien dakord të nisin një ballafaqim, brenda korrikut 2021, që synon kryerjen e një përditësimi dhe evoluimi të Organizmit Paritetik Kombëtar të Sektorit (O.N.B.S.I.) si pjesë e përkufizimit të një Marrëveshjeje më të përgjithshme të Governance të sistemit bilateral që të vlerësojë përfaqësimin e çdo komponenti të përfshirë, në përputhje me parimet e pjesëmarrjes dhe kontributit, ashtu siç rrjedhin nga kontrata C.C.N.L. për personelin e punësuar nga ndërmarrjet që ofrojnë shërbime pastrimi dhe shërbime të integruara/multi-shërbime, duke përfshirë Entin Bilateral Kombëtar (O.N.B.S.I.) dhe Fondin Sanitar (ASIM – Asistenca Sanitare Integruese Multi-shërbime). Diskutimi, që synon arritjen e nënshkrimit të një marrëveshjeje ndërmjet palëve, e cila do të përcaktojë zgjidhje më të mira organizative, perspektiva të reja të bilateralitetit për vlerësimin e marrëdhënieve sindikale të sektorit, do të përmbyllet nga muaji tetor 2021.