fbpx

Neni 31 – Koha e punës shumëperiudhëshe për punëtorët me kohë të plotë dhe banka e orëve

Për të përballuar nevojat që lidhen me ndryshimet në intensitetin e aktivitetit të punës, kohëzgjatja e orarit të punës mund të rezultojë gjithashtu nga një mesatare shumëjavore gjatë vitit me limite maksimale prej 45 orë në javë dhe 10 orë në ditë dhe me një kohëzgjatje minimale prej 35 orësh javore.

Për devijimet nga programi me arsyet përkatëse do të vihen në dijeni R.S.U.-të, dhe, n.q.s. nuk janë krijuar akoma, R.S.A.-të.

Në raste të tilla, për shërbimet që tejkalojnë orët normale të punës ditore dhe javore nuk do të ketë kompensime për punë shtesë/jashtë orarit derisa të plotësohen orët që do të kompensohen.

Për sa i përket fleksibiliteteve të parashikuara më sipër, punonjësit e interesuar do të marrin pagën në lidhje me orët normale sipas kontratës si në periudhat e tejkalimit ashtu edhe në ato të shërbimit më të vogël.

Çdo punëtor mund të grumbullojë në një “bankë individuale të orëve”, orët e punës kur tejkalojnë orën e 45, të cilat, me kërkesën e të interesuarit, do të rikuperohen në formën e pushimeve kompensuese, pa cenuar rritjet përkatëse që do të paguhen me pagat që i përkasin muajit që vjen, pas muajit në të cilin këto shërbime janë kryer. 

Për të bërë zbatimin e akumulimit të orëve, punonjësi duhet të deklarojë paraprakisht, brenda muajit janar të çdo viti, me shkrim, dëshirën e tij për të rikuperuar orët e grumbulluara në bankën e orëve; në këtë rast periudhat e pushimit të përmendura në paragrafin e mëparshëm mund të gëzohen brenda 6 muajve pas muajit në të cilin është kryer shërbimi, me kusht që personi i interesuar të bëjë kërkesë me anën e një njoftimi të paktën pesë ditë përpara dhe të mos mungojë në të njëjtën kohë e për të njëjtën arsye më shumë se 3% e personelit, dhe të mos ketë pengesa në atë moment sipas nevojave objektive dhe të vërtetuara të ndërmarrjes, në lidhje me mos zëvendësimin për detyrat që kryen.

Në rast se afati i njoftimit nuk respektohet, orët e kërkuara të pushimit do të jepen në përputhje me nevojat e ndërmarrjes.

Nëse në mënyrë të jashtëzakonshme dhe për shkak të nevojave teknike dhe prodhuese do të jetë i pamundur rikuperimi me pushim kompensues, brenda 12 muajve, i orëve të grumbulluara, shuma përkatëse do t’i paguhet punonjësit të interesuar në bazë të pagës për orët në fuqi në atë datë.

Nënkuptohet se në rast ndryshimi të kontratës do të paguhen orët që lidhen me pushimin kompensues të pashfrytëzuara.

Për sa i përket artikulimit të orarit të punës në baza shumëperiudhëshe për shërbimet e pastrimit në impiantet industriale, pranohen kushtet më të favorshme ekzistuese.

Nëse në ndërmarrje lind nevoja për të aktivizuar institucionin e Bankës së Orëve për nevoja të ndryshme nga ato të identifikuara më sipër, në lidhje me këtë, e njëjta ndërmarrje me R.S.U.-në dhe, aty ku nuk është krijuar ende, me R.S.A.-në së bashku me Organizatat sindikale (OO.SS.) që kanë nënshkruar këtë kontratë C.C.N.L., ose me Organizatat sindikale (OO.SS.) që kanë nënshkruar këtë C.C.N.L., do të jetë në gjendje të përcaktojnë marrëveshje të veçanta të ndërmarrjes. Në çdo rast, këto marrëveshje duhet të vendosen në përputhje të plotë me qëllimet dhe përmbajtjet e përcaktuara në këtë nen. Anëtarësimi eventual i punonjësve me kohë të pjesshme (part time) në bankën e orëve, siç përcaktohet nga marrëveshjet e përmendura në këtë paragraf, duhet të bëhet i qartë nëpërmjet anëtarësimit vullnetar.

Neni 30 – Orari i punës

Për kohëzgjatjen e orarit të punës i referohemi normave ligjore dhe derogimeve (kufizim i normës) dhe përjashtimeve përkatëse.

Kohëzgjatja e orarit sipas kontratës së punës është 40 orë në javë, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenet e mëposhtme 32 e 33.

Sipas nenit 4, paragrafi i katërt, i Dekretit legjislativ n. 66/2003, kohëzgjatja mesatare javore e kohës së punës, duke përfshirë punën jashtë orarit, llogaritet duke iu referuar një periudhe jo më të gjatë se gjashtë muaj.

Ky afat mund të rritet deri në dymbëdhjetë muaj me marrëveshje të nivelit të dytë, në lidhje me nevojat që lidhen me ndryshimet në intensitetin e aktivitetit të punës si dhe me nevojat teknike, prodhuese dhe organizative sektoriale.

Për sa i përket orarit të punës me shumë periudha sipas nenit 31 të kontratës C.C.N.L. periudha e referimit është megjithatë dymbëdhjetë muaj.

Shërbimi shpërndahet në 5 ditë pune radhazi.

2 ditët e pushimit duhet të përfshijnë të dielën, me përjashtim të rasteve të veprimtarive të punës në sektorët e shërbimeve publike dhe atyre të aktiviteteve me cikël të vazhdueshëm.

Në përjashtim nga sa më sipër, për nevoja teknike ose prodhuese apo organizative, duke lënë në fuqi pushimin e së dielës, dita tjetër e pushimit mund të shfrytëzohet gjatë gjithë javës.

Zbatimi i asaj që u tha më sipër dhe programimi i pushimeve do të bëhet pas diskutimit ndërmjet palëve dhe do t’u bëhet i njohur punonjësve të interesuar të paktën 15 ditë përpara, brenda afatit të duhur ose sidoqoftë paraprakisht. 

Me përfaqësuesit e sindikatave të ndërmarrjes, ose me përfaqësimin sindikal unitar, të asistuara nga Organizatat sindikale territoriale, mund të bihet dakord për një shpërndarje në 6 ditë në lidhje me nevojat e ndërmarrjes.

Në rastin e shërbimit në ditën e 6, do të paguhet paga e përgjithshme orare, për orët e punës së bërë, me një rritje prej 25%, e llogaritur mbi pagën bazë. Duke filluar nga hyrja në fuqi e kësaj kontrate C.C.N.L., në marrëveshjet e nivelit të dytë, të nënshkruara në përputhje me nenin 3 të kësaj C.C.N.L., palët nënshkruese mund të bien dakord të mos e aplikojnë këtë rritje nëse shërbimi në ditën e gjashtë është vendosur në zbatim të një rritje strukturore, më të lartë se minimumi kontraktues sipas nenit 33 të kësaj kontrate C.C.N.L., i orëve individuale kontraktuese të punës për të cilat palët kanë rënë dakord ndërmjet tyre; kjo nuk do të zbatohet më në rastin e një reduktimi të mëvonshëm të orarit për të cilin është rënë dakord.

Shpërndarja ditore e orarit të punës mund të artikulohet në jo më shumë se dy fraksione. Në bazë të asaj që është parashikuar nga neni 7 i Dekretit legjislativ n. 66/2003 pushimi ditor prej 11 orësh duhet të shfrytëzohet në mënyrë të njëpasnjëshme, me përjashtim të aktiviteteve të karakterizuara nga dy fraksione pune gjatë ditës. Në çdo rast, do të garantohet një pushim ditor prej të paktën 8 orësh radhazi. Ajo për të cilën është rënë dakord në këtë paragraf është vendosur në zbatim të nenit 17, paragrafi 4, i Dekretit legjislativ n. 66/2003.

Duke lënë në fuqi situatat aktuale, me efekt nga data 2 maj 1980, është shfuqizuar mundësia për të rënë dakord për një turn të 3 ditor ish-neni 22, paragrafi 8 i kontratës C.C.N.L. (Kontrata Kolektive Kombëtare e Punës) 13 dhjetor 1977.

Orët e punës të kryera në mbi 40 orë në javë do të kompensohen me një rritje prej 25% të llogaritura mbi pagën bazë.

Përqindjet e rritjes, të përmendura në paragrafët 11 dhe 14 (shërbimi në ditën e 6 të javës dhe zgjatja e orarit) nuk mund të grumbullohen bashkë me njëra-tjetrën (në kuptimin që më e madhja përjashton më të voglën) dhe nuk mund t’i shtohen njëra tjetrës gjithashtu rritjet e parashikuara në nenin e mëposhtëm 38 (punë jashtë orarit, turne nate, gjatë festave).

Orari i punës duhet të llogaritet nga koha e caktuar më parë e vendosur nga ndërmarrja për fillimin e aktivitetit të punës.

Nëse punëtori, duke u paraqitur në orën e caktuar më parë, për fillimin e shërbimit ditor, nuk do të ishte i përshtatshëm për punë ose do t’i kërkohej të kryejë një shërbim me kohëzgjatje më të vogël se orari i caktuar, ai ka të drejtën e trajtimit të pagesës që do t’i kishte takuar njësoj sikur të kishte punuar.

Gjatë ditës dhe gjatë orëve më pak të ngarkuara me punë, punonjësi ka të drejtë për të paktën një orë pushim pa pagesë, për të konsumuar ushqimin e ditës.

Ndërmarrja në vendosjen e turneve të punës ose të pushimit ndërmjet personelit me të njëjtat kategori, do të ketë kujdes që, në përputhje me kërkesat e ndërmarrjes, të koordinohen në mënyrë që të dielat dhe orët e natës të ndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet vetë personelit, duke i garantuar secilit, përveç pushimit ditor, 24 orë pushim të pandërprerë për çdo javë.

Orari i punës dhe turnet duhet të përgatiten nga ndërmarrja në mënyrë që personeli të ketë dijeni menjëherë për to.

Në rastin e punës me turne, personeli i turnit që ka përfunduar nuk mund të largohet nga shërbimi nëse nuk është zëvendësuar nga personeli i turnit pasardhës, brenda një limiti prej 2 orësh.

Koha e shpenzuar në dispozicion të ndërmarrjes – në pritje të punësimit, për zhvendosje nga një vend pune në tjetrin edhe sikur të ishin ato të zakonshmit, dhe për çdo qëndrim pa punë gjatë orarit të punës për shkak të nevojave të ndërmarrjes – llogaritet në orarin efektiv të punës si shërbim pune dhe paguhet si i tillë.

Shpenzimet e udhëtimit që punonjësi përballon për arsye pune gjatë shërbimit të tij ditor – duke përfshirë edhe ato që rrjedhin nga zhvendosjet nga një vend pune në tjetrin, edhe nëse janë ata të zakonshmit – rimbursohen nga ndërmarrja. Përjashtohen nga rimbursimi shpenzimet e udhëtimit që punonjësi përballon për të mbërritur në vendin e punës, për të filluar punën e përditshme dhe për t’u kthyer në shtëpinë e tij.

Koha që i duhet punonjësit për të lëvizur nga një vend në tjetrin, ndërmjet fillimit dhe përfundimit të shërbimit, konsiderohet si kryerje e punës që i është ngarkuar në mënyrë të mirëfilltë.

Neni 29 – Transferimet

Punonjësi nuk mund të transferohet nga një vend pune në tjetrin përveçse për arsye të justifikuara teknike, organizative dhe prodhuese.

Punonjësi i transferuar ruan trajtimin ekonomik që ka gëzuar më parë, duke përjashtuar ato shtesa dhe kompetenca që kanë të bëjnë me kushtet lokale dhe me shërbimet e veçanta në vendin e punës të origjinës dhe që nuk zbatohen në destinacionin e ri.

Punonjësi që nuk pranon transferimin do të ketë të drejtën e pagesës për përfundimin e marrëdhënieve në punë dhe për paralajmërimin, me përjashtim të punëtorëve të kategorisë së 7 dhe të 6, nëse në kohën e punësimit është rënë dakord shprehimisht për të drejtën e ndërmarrjes për të vendosur për transferimin e punonjësit ose kjo e drejtë të rezultojë në bazë të situatës faktike në fuqi për punonjësit aktualisht në shërbim, në të cilat raste punonjësi që nuk pranon transferimin konsiderohet se ka dhënë dorëheqjen.

Punonjësit që transferohet do t’i paguhet rimbursimi për shpenzimet e udhëtimit dhe të transportit për veten e tij, për anëtarët e familjes dhe për plaçkat e familjes (mobilie, bagazhe etj.).

Modalitetet dhe kushtet duhet të vendosen paraprakisht me ndërmarrjen.

I takon përveç kësaj pagesa e një shtese në masën 1/3 të pagës së përgjithshme mujore punonjësit beqar pa bashkëjetues në ngarkim dhe në masën 2/3 të pagës së përgjithshme mujore punonjësit me familje, përveç 1/15 të pagës për secilin anëtar të familjes në ngarkim që transferohet me të.

Nëse, si rezultat i transferimit, punonjësi duhet të paguajë një paradhënie për përfundimin e parakohshëm të kontratës së qirasë, të regjistruar rregullisht ose të denoncuar te punëdhënësi përpara komunikimit të transferimit, ai do të ketë të drejtën e rimbursimit të kësaj paradhënie deri në një maksimum prej 4 muaj qiraje.

Vendimi i transferimit duhet t’i komunikohet punonjësit me shkrim me një njoftim paraprak prej një muaji.

Punonjësi që kërkon transferimin e tij nuk ka të drejtë për përfitimet e mësipërme.

Neni 28 – Mobiliteti i ndërmarrjes

Masat për ndryshime përfundimtare të vendit ose vendeve të zakonshme të punës brenda komunës nuk mund të bëhen përveçse për arsye tekniko-organizative dhe prodhuese dhe duhet t’i komunikohen punonjësit të interesuar dhe në të njëjtën kohë R.S.U.-ve, ose, kur ende nuk janë krijuar, të R.S.A.-ve.

Neni 27 – Shërbimet

Ndërmarrja, për nevoja shërbimi, mund ta dërgojë punonjësin jashtë vendit të zakonshëm të punës.

Në këtë rast punëtori mban pagën në lidhje me vendin e tij të punës dhe do të ketë të drejtë:

  • për rimbursimin e shpenzimeve faktike të udhëtimit që korrespondojnë me mjetet normale të transportit;
  • për rimbursimin e shpenzimeve të ushqimit dhe/ose akomodimit në fund të listës, kur kohëzgjatja e misionit e detyron punonjësin të përballojë këto shpenzime;
  • për rimbursimin e shpenzimeve të tjera të shërbimit të nevojshme për kryerjen e misionit.

I njëjti trajtim vlen edhe për punonjësin e thirrur si dëshmitar në çështjet civile dhe penale për arsye që lidhen me shërbimin.