Palët nënshkruese përcaktojnë dy nivele kontraktuese:
- një kontratë kolektive kombëtare pune;
- një nivel të dytë kontraktues, në bazë të klauzolave specifike përfshirëse, për punëtorët e paregjistruar në sindikatë, të vetë kontratës C.C.N.L. dhe në përputhje me kriteret dhe procedurat që përcaktohen nga kjo kontratë.
Kontrata kolektive kombëtare e punës
Kjo kontratë kolektive kombëtare ka një kohëzgjatje trevjeçare si për pjesën ekonomike ashtu edhe për atë normative; ajo disiplinon të gjithë elementët e marrëdhënies së punës, duke përbërë një burim rregullimi të aspekteve normative.
Përcakton gjithashtu edhe trajtimin e pagës bazë me një funksion specifik garancie në drejtim të ruajtjes së fuqisë blerëse të pagave kontraktuese.
Kontrata C.C.N.L. identifikon, për kontraktimet e nivelit të dytë, lëndët, subjektet e kualifikuar dhe afatet, pasi të jepen garancitë e duhura procedurale, në fushat dhe me aftësitë që nuk përsëriten në krahasim me ato të nivelit kombëtar.
Procedurat për rinovimin e kontratës kolektive kombëtare të punës
Propozimet për rinovimin e kontratës C.C.N.L. do të paraqiten në afatin e duhur për të lejuar hapjen e negociatave gjashtë muaj përpara skadimit të kontratës.
Pala që ka marrë propozimet e rinovimit duhet të japë përgjigje brenda njëzet ditësh duke filluar nga data e marrjes së tyre, edhe për të rënë dakord për vendosjen e një takimi. Gjatë gjashtë muajve paraardhës dhe në muajin pas skadimit të kontratës C.C.N.L. dhe në çdo rast për një periudhë të përgjithshme prej shtatë muajsh nga paraqitja e propozimeve të rinovimit, palët nuk do të ndërmarrin iniciativa të njëanshme dhe as nuk do të procedojnë me veprime të drejtpërdrejta, në lidhje me çështjen e pazgjidhur kontraktuese.
Në rast të mosrespektimit të pushimit të konfliktit sindikal të përcaktuar më sipër, mund të ushtrohet e drejta për të kërkuar revokimin ose pezullimin e veprimit të zbatuar; atëherë kur revokimi ose pezullimi nuk janë zbatuar, data e hyrjes në fuqi e kontratës C.C.N.L. dhe e marrëveshjeve eventuale të nivelit të dytë do të shtyhet për një muaj.
Për të respektuar kohët dhe procedurat e përcaktuara është vënë si kusht, me modalitetet e përcaktuara në marrëveshjen e rinovimit, aplikimi i mekanizmit që njeh një mbulimin ekonomik nga data e skadimit të kontratës së mëparshme në favor të punonjësve në shërbim duke filluar nga data e arritjes së marrëveshjes së rinovimit.
Kontraktimi i Nivelit të Dytë
Palët, me këtë rinovim kontraktues, kanë ndarë një model kontraktimi të nivelit të dytë që ka si qëllim rritjen e sektorit edhe në kuadrin e përqasjes dhe të marrëdhënieve sindikale.
E drejta për kontraktimet e nivelit të dytë ushtrohet nga strukturat territoriale të organizatave sindikale (OO.SS.) kombëtare që nënshkruajnë kontratën C.C.N.L..
Ndërmarrjet asistohen dhe përfaqësohen nga Shoqatat kompetente territoriale të organizatave nënshkruese të punëdhënësve në të cilat janë regjistruar ose që u japin mandatin.
Kontraktimi i nivelit të dytë ka funksionin e negocimit të pagesave variabël ekonomike që lidhen me rezultatet e arritura në realizimin e programeve të vendosura ndërmjet palëve. Këta programe do të kenë si objektiv rritjen e produktivitetit, cilësisë, përfitimit, efikasitetit, novacionit, efektivitetit organizativ dhe elementeve të tjerë të rëndësishëm për përmirësimin e aftësisë konkurrenciale të ndërmarrjes, si dhe rezultatet që lidhen me ecurinë ekonomike të një ndërmarrje të vetme.
Primi i rezultatit duhet të ketë karakteristika të tilla që të lejojnë aplikimin e trajtimeve të veçanta të kontributeve dhe fiskale të parashikuara nga normativa ligjore.
Kontraktimi i nivelit të dytë ushtrohet për lëndët e deleguara, tërësisht ose pjesërisht, nga kjo kontratë C.C.N.L., siç përcaktohet medoemos në këtë paragraf ose nga ligji; duhet të ketë të bëjë me lëndë dhe institute që nuk janë negociuar tashmë në nivele të tjera të kontraktimit, sipas parimit “ne bis in idem” (jo dy herë për të njëjtën gjë), përveç rasteve të parashikuara shprehimisht në këtë kontratë C.C.N.L..
- veprime në favor të personelit femëror, duke zbatuar rekomandimin e KEE nr. 635/1984 dhe të D.Lgjs. 198/2006, në përputhje me atë që është rënë dakord për këtë çështje në nivel kombëtar;
- veprime pozitive për fleksibilitetin sipas nenit 9 të ligjit nr. 53/2000;
- marrëveshjet në fushën e zhvillimit të bilateralizmit (marrëdhënie dypalëshe), koherent dhe brenda kuadrit të rënë dakord për këtë çështje në nivel kombëtar;
- angazhimet e ndryshme formuese dhe modalitetet specifike të zhvillimit të formimit të brendshëm dhe të jashtëm të praktikantëve, në përputhje me nenin 12 të kësaj kontrate C.C.N.L.;
- monitorimin e shfrytëzimit të orëve suplementare në përputhje me atë çfarë parashikohet në nenin 33 të kësaj kontrate C.C.N.L.;
- marrëveshjet specifike për ndarjen e turneve/orareve edhe për tipologji specifike të tenderave të pranishëm në territor, në funksion të një organizimi më të mirë të punës;
- modalitetet shpjeguese të aplikimit të regjimeve të fleksibilitetit të parashikuara tashmë nga kjo kontratë C.C.N.L. (Kontrata Kolektive Kombëtare e Punës) dhe/ose përcaktimin e mekanizmave të rinj për tipologjitë e veçanta të tenderave të pranishëm në territor;
- përcaktimin e zgjidhjeve që synojnë për një përdorim më të madh të mobilitetit (transferim me dëshirën e punonjësit) të ndërmarrjes, edhe jashtë hapësirës komunale;
- përcaktimin e masave që synojnë përmirësimin e kushteve të punës edhe me qëllim për të kundërshtuar format eventuale anormale të asenteizmit (mosparaqitjes në punë).
Marrëveshjet e nivelit të dytë kanë një kohëzgjatje trevjeçare.
Procedurat e rinovimit e të administrimit të marrëveshjeve të nivelit të dytë
Marrëveshjet e nivelit të dytë kanë një kohëzgjatje trevjeçare dhe janë të rinovueshme në përputhje me parimin e autonomisë së cikleve të negociatave me qëllim që të shmangen mbivendosjet me kohët e rinovimit të kontratës kolektive kombëtare.
Kërkesat për rinovimin e marrëveshjeve të nivelit të dytë duhet të nënshkruhen bashkërisht nga subjektet e përcaktuara në këtë nen dhe t’i paraqiten Shoqatës kompetente territoriale, në kohën e duhur për të lejuar hapjen e negociatave, tre muaj përpara skadimit të vetë marrëveshjeve.
Pala që ka marrë propozimet e rinovimit duhet të japë përgjigje brenda 20 ditësh duke filluar nga data e marrjes së tyre edhe për të rënë dakord për vendosjen e një takimi.
Për një periudhë katër mujore nga paraqitja e vetë kërkesave, palët nuk do të ndërmarrin iniciativa të njëanshme dhe as nuk do të procedojnë me veprime të drejtpërdrejta, në lidhje me çështjen e pazgjidhur kontraktuese.
Kontraktimi i nivelit të dytë me përmbajtje ekonomike lejohet për vendosjen e një Primi të Rezultatit të llogaritur vetëm duke iu referuar rezultateve të arritura në realizimin e programeve të rëna dakord në përputhje me paragrafin e mëparshëm “Kontraktimi i nivelit të dytë” si dhe paragrafin pasues “Primi i rezultatit”.
Për qëllime të identifikimit të parametrave objektivë që mund të përdoren në bazë të këtij neni, palët, duke pasur parasysh sesi sektori i ndërmarrjeve të pastrimit dhe multi-shërbime/shërbime të integruara është i karakterizuar sigurisht nga “intensiteti i lartë i fuqisë punëtore” dhe sesi burimi kryesor përbëhet nga puna, bien dakord të përcaktojnë treguesin kryesor në praninë efektive në punë.
Për këtë qëllim, dhënia e primit të rezultatit do të jetë proporcionale në raport me praninë efektive të pranisë së punonjësit, me përjashtim të periudhave të mungesës për leje lindje, aksidenteve dhe aktiviteteve sindikaliste, në konvergjencë me cilësinë e punës së kryer, të nevojshme me qëllim që të ruhen kontratat e prokurimit si dhe nënshkrimin e kontratave të reja.
Krijohet një komision konsultativ kombëtar për të kryer analizën e koherencës, në lidhje me atë që është vendosur në këtë nen, të kërkesave të paraqitura, të ecurisë së kontraktimeve dhe të rezultateve përkatëse. Komisioni, në këtë kontekst, do të jetë në gjendje të drejtojë, me iniciativat më të përshtatshme, kontraktimin e nivelit të dytë siç përcaktohet në këtë nen.
Krijimi i Komisionit konsultativ kombëtar ka si qëllim përfshirjen pjesëmarrëse në çdo nivel dhe evoluimin e sistemit të marrëdhënieve industriale.
Organizmat territoriale të sipërmarrjes dhe sindikatave do t’ua komunikojnë organizatave kombëtare përkatëse tekstet e marrëveshjeve të nënshkruara të nivelit të dytë.
Primi i rezultatit
Kontraktimi me përmbajtje ekonomike parashikohet me modalitetet e treguara më poshtë. Ajo do të ketë si objekt disbursime pagash të lidhura ngushtë me objektivat dhe rezultatet e arritura me zbatimin e programeve të dakorduara ndërmjet Palëve, duke pasur si objektiv, për shembull, rritjen e rendimentit, produktivitetit, efektivitetit, efikasitetit, konkurrencës dhe cilësisë.
Shumat e elementëve të rinj ekonomikë integrues sipas paragrafëve të mëparshëm janë të ndryshueshme, nuk mund të paracaktohen dhe nuk janë të dobishme për qëllimet e asnjë institucioni ligjor ose kontraktues; ato duhet të jenë gjithashtu koherente edhe me atë që parashikohet në normativën kontributive dhe fiskale që parashikon lehtësime të veçanta në lidhje me elementët ekonomikë që rrjedhin nga kontraktimet e nivelit të dytë.
Marrëveshja për primin do të ketë një kohëzgjatje trevjeçare.
Kontraktimi i nivelit të dytë do të përcaktojë kushtet, kohën dhe modalitetet e aplikimit të primit të rezultatit.
Pagesa e primit do të riproporcionohet nga ndërmarrja në lidhje me ditët e punës efektive të kryera në varësi të saj nga punonjësit në vitin e kaluar.
Për punonjësit me orë të reduktuara, shuma e primit do të llogaritet në përpjesëtim me orarin e punës individual.
Primi, pas marrëveshjes së nivelit të dytë, kur paguhet, do të absorbojë deri në shumën totale të duhur, çdo trajtim ekonomik kolektiv shtesë ndaj atij që është parashikuar në këtë kontratë C.C.N.L., ose, aty ku është më i ulët, do të absorbohet tërësisht.
Në përputhje me atë që parashikohet në paragrafin paraardhës, në situatat kur në datën e hyrjes në fuqi të kësaj kontrate C.C.N.L. të rezultojnë marrëveshjet ekonomike të nivelit të dytë në fuqi, do të zgjerohen kushtet e përcaktuara në këtë nen.
Duke pasur parasysh se marrëveshjet e nivelit të dytë duhet të depozitohen pranë drejtorive provinciale të punës në bazë të normave të ligjeve në fuqi, Palët bien dakord që marrëveshjet e nivelit të dytë të dërgohen edhe te O.N.B.S.I. që do të marra masa t’i dërgojë në Këshillin Kombëtar të Ekonomisë dhe Punës (C.N.E.L.) për qëllimet e parashikuara nga ligji.
Elementi i garancisë së pagës
Punonjësve të punësuar për një kohë të pacaktuar, të cilët në katër vitet e mëparshme kanë rezultuar pa kontraktim të nivelit të dytë dhe që nuk kanë marrë trajtime të tjera ekonomike individuale ose kolektive përveç asaj që u takon nga kjo kontratë kolektive, nëse pas prezantimit të një platforme të nivelit të dytë, në përputhje me këtë nen nuk përcaktohet një marrëveshje deri në muajin dhjetor 2012, ndërmarrja do të paguajë me pagën e muajin korrik 2013, shumën prej 80,00 € në nivelin e 2të (parametri 109) dhe i riparametruar për nivelet e tjera.
Verifikimi i atyre që kanë të drejtë dhe dhënia e elementit të garancisë do të përcaktohet duke iu referuar situatës së konstatuar në katërvjeçarin fundit.
Elementi i garancisë ka të bëjë me punonjësit e punësuar për një kohë të pacaktuar, në fuqi që nga 1 janari 2013, të cilët rezultojnë se janë të regjistruar në regjistrin unik të paktën gjashtë muaj më parë. Ndërmarrja do të llogarisë shumën në përpjesëtim me ditët efektive të punës së kryer nga punonjësit në vartësinë e saj në periudhën 1/1/2010 – 31/12/2012.
Në rastin e një transferimi kontrate tenderi, që mund të ndërhyjë ndërmjet janarit 2013 dhe korrikut 2013, ndërmarrja që mbyllet do t’i likuidojë punonjësve që i kalojnë ndërmarrjes hyrëse shumat eventuale që u takojnë si element garancie pagese.
Për punonjësit me orë të reduktuara, shuma e elementit të garancisë do të llogaritet në përpjesëtim me orarin e punës individual.
Shuma e paguar si element garancie nuk është e dobishme me qëllim të llogaritjes sipas asnjë institucioni ligjor ose kontraktues, pasi palët e kanë përcaktuar shumën në një kuptim gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh çdo ndikim, duke përfshirë aty edhe pagesën për trajtimin e përfundimit marrëdhënieve të punës.
Elementi i garancisë nuk mund të jetë zëvendësues i marrëveshjeve ekzistuese të nivelit të dytë.
Institucionet që kanë lidhje me shtimin e produktivitetit
Duke pasur parasysh atë që parashikohet nga normativat ligjore dhe qarkoret shpjeguese përkatëse, si dhe Marrëveshjet Ndërkonfederale për këtë çështje, Palët bien dakord që aplikimi i institucioneve të mëposhtme sjell rritje në produktivitet, cilësi, konkurrencë, përfitime, inovacion dhe efikasiteti organizativ:
- punë jashtë orarit;
- punë suplementare;
- shpërblime për klauzola elastike;
- punë natën;
- punë me turne;
- punë gjatë festave;
- primet variabël të rendimentit;
- orët e r.o.l. (reduktimi i orarit të punës), banka e orëve dhe ish- ditë festash të pashfrytëzuara;
- çdo zë tjetër shpërblimi që synon rritjen e produktivitetit të ndërmarrjes, cilësisë, konkurrencës, rendimentit, inovacionit dhe efektivitetit organizativ.